Fjalim i Mjeshtrit të madh

Vëllezër,

Të gjithë sonte këtu, jemi dëshmitarë të një ngjarjeje me shumë rendësi për vendin tonë – Themelimin e Lozhës së Madhe të Kosovës. Me plot gojën mund ta themi se puna, dedikimi, shpresat dhe ëndrrat tona sonte u kurorëzuan ashtu siç i ka hije kësaj Lidhjeje burrash me emër e nam të mirë. 17 Shkurti i 2018-ës plotësoi dhe një amanet tjetër të shumë e shumë bijve të tjerë të kësaj toke, që kanë dhënë e japin kontributin e tyre Muratorik nëpër shumë vende të tjera të botës, e pas kësaj dite do të kenë mundësinë të ndërtojnë shtëpinë e tyre. Lozha e Madhe e Kosovës jo vetëm qe është Lozha e Madhe më re por edhe guri i vetëm që mungonte prej kohësh në tempullin masonik të Evropës.

Vëllezër, këtë tempull tani mund ta quajmë të kompletuar.

Ne jemi të vetëdijshëm që duke u bërë pjesë integrale e këtij tempulli po i vëmë vetes detyrën e lavdishme të mjeshtrave muratorë, që brezave që do të vijnë, tu lëmë një bazament të shëndoshë e të qëndrueshëm për të perfeksionuar artin e zejes tonë. Gjithashtu, me vendimin e sotëm,  treguam se jemi në gjendje të mbajmë pjesën tonë të barrës në tempullin e kontinentit ku jetojmë. Jam më se i bindur që me përkushtimin, pasionin, krenarinë, perunjësinë, mirësinë, respektin dhe dedikimin që kemi treguar e do të tregojmë në të ardhmen – kjo barrë do të na duket edhe më e lehtë.

Vëllezër, mirënjohja në lidhjen tonë shkon përtej mirësjelljes. Është një nder dhe kënaqësi e veçantë që të shprehim sonte falënderimet tona më të përzemërta për mbështetjen, ndihmën e pakursyer e këshillat vëllazërore të Lozhës së Madhe të Shqipërisë. Te gjithë e dimë, që nuk do të ishim sonte këtu pa përkrahjen e saj, e cila, 4 vite më parë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat vendosi të dëgjonte zërin tonë. Vëllezër, më lejoni që në emrin tuaj t’i falënderoj nga thellësia e shpirtit të gjithë Vëllezërit e LMSh-së për “dhuratën” që i bënë Kosovës me themelimin e tri Lozhave në Orientin e Prishtinës, dhe njëkohësisht t’i siguroj se nuk do të pushojmë se punuari së bashku edhe në të ardhmen, tashmë në nivel simotrash.

Vëllezër, ne jemi krenarë që themelet e LMK-së janë themele të forta, të gjëra, e të mbështetura ashtu siç duhet. Tani detyra jonë është që mbi këto themele të ngrejmë një strukturë të qëndrueshme, të përsosur e të nderuar për të gjithë ne. Ashtu si Muratoret e lashtë që nuk e shihnin përfundimin e kështjellës, katedrales apo objektit qe fillonin, edhe ne sonte kemi hedhur vetëm themelet, por me përkujdesjen, gjykimin e duhur, zellin që nuk na mungon, dhe të vetëdijshëm për ndihmën e Arkitektit te Madh të Gjithësisë, do të mundësojmë qe suksesi të jetë udhërrëfyesi ynë. Kemi mësuar që secili nga ne të përpiqet të punojë në gurin e vet, ashtu do të punojmë tash e tutje edhe për LMK-në, qe të ketë Lozhat e saja në të gjithë territorin e Kosovës e të njihet e respektohet nga të gjitha simotrat e saj anë e mbanë botës. Gjithmonë duhet ta kemi parasysh që çdo gjë fillon nga vetja, dhe do të jemi vetëm ne ata që do t’i çojmë punët përpara. Me lejoni që në fund të citoj dy vargje nga poema “Invictus” e Willian Ernest Henley: “I am the master of my fate, I am the captain of my soul”.

Vëllezër, Ne jemi mjeshtrit e fatin tonë, ne jemi kapitenët e së ardhmes tone.

By | 2018-02-22T20:10:29+00:00 August 25th, 2017|Categories: Fjalime, Internacionale|0 Comments
Avada WordPress Theme