Treqind vite të Muratorisë së Lirë: Cila është historia e lozhave masonike shqiptare?

Home/Internacionale/Treqind vite të Muratorisë së Lirë: Cila është historia e lozhave masonike shqiptare?

Treqind vite të Muratorisë së Lirë: Cila është historia e lozhave masonike shqiptare?

Viti 2017 është një vit i veçantë për Muratorinë e Lirë, pasi kjo vëllazëri e fshehtë e me një ndikim të admiruar në botë, feston 300-vjetorin e themelimit të saj. Shumë ngjarje i janë mveshur kësaj lidhjeje burrash me emër e nam të mirë, përderisa roli i tyre në periudhën e Rilindjes dhe Iluminizmit vlerësohet si qenësor. Ritualet dhe simbolet e tyre mbeten të mistershme dhe të panjohura për publikun, edhe pse kjo vëllazëri numëron tashmë 6.5 milionë vëllezër në mbarë botën, transmeton Telegrafi.

KUSH JANË MURATORËT E LIRË?

Lozhat muratorike mendohet t’i kenë rrënjët e tyre tek gurgdhendësit e Mesjetës, të cilët ndërtuan katedralet dhe kështjellat e mëdha të kohës. Për të ruajtur sekretet e profesionit, ata zhvilluan shenja njohjeje dhe dalluese me njëri-tjetrin, dhe njohuritë i bartën vetëm brenda rrethit së tyre. Kjo njihet dhe si periudha e ‘Muratorëve të Lirë operativë’.

Sot, Muratorët e Lirë nuk merren më me ndërtim. Ata pretendojnë të përfaqësojnë një rrymë etike-filozofike e cila, nëpërmjet alegorisë dhe simboleve, angazhohet për përmirësimin e shoqërisë – duke filluar nga përmirësimi i individit.

LOZHA E PARË E MADHE

Edhe pse ka ruajtur traditat e vjetra dhe ritualet fillestare, Muratoria e Lirë moderne ka karakter simbolik dhe, si e tillë, quhet ‘Muratori e Lirë spekulative’. Si zanafillë të veprimtarisë së saj simbolike, ajo njeh datën 24 qershor 1717, kur katër lozha londineze u takuan në një darkë të përbashkët në tavernën ‘Goose and Gridiron’ në St. Paul’s Churchyard, për të krijuar Lozhën e parë të Madhe në botë, që sot njihet me emrin ‘Lozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë’.

Rëndësia e këtij akti është e shumëfishtë për Muratorinë e Lirë, por ajo që është më domethënëse është se ky akt i hapi udhë organizimit të strukturuar mbarëbotëror Muratorëve të Lirë. Me këtë u vunë themelet e organizatës së parë qytetare kozmopolite, e cila me traditën tashmë 300-vjeçare është mbase i vetmi grupim për cilin mund të thuhet se e ka gjetur formulën e vetëqëndrueshmërisë.

Është fakt i pranuar gjerësisht nga historianët se Muratoria e Lirë është manifestim kyç i Epokës së Iluminizmit, madje shpesh konsiderohet si një prej faktorëve kryesorë të suksesit të kësaj epoke. Parulla e iluminizmit ‘Liri-Barazi-Vëllazëri’, e cila në gojën e politikanëve shpesh tingëllon si demagogji, në Lozhat Muratorike është praktikë e jetuar ndër shekuj.

Muratoria e Lirë konsiderohet se ka krijuar një mjedis të përshtatshëm për debat dhe shkëmbim idesh pikërisht me strukturimin e saj nëpër Lozha. Kjo traditë e debatit është themeli i shkencës pozitiviste, për dallim nga debati sofist fjalamujtas, i cili ndodh jo rrallë edhe në akademinë profane.

Këtë frymë debati pozitivist, në thelbin e saj, Muratorët e Lirë besohet se e kanë trashëguar nga vëllezërit e tyre të shumtë shkencëtarë, ndërsa akademia më vonë e ka bërë të vetën këtë metodë, duke e marrë pikërisht prej praktikës së gjallë të Lozhave Muratorike.

Edhe shoqëria civile e sotme, formimin e vet thelbësor mendohet ta ketë fituar nga ndikimi i Lozhave Muratorike.

MURATORIA NË TROJET SHQIPTARE

Muratoria e Lirë në trojet tona mendohet se ka nisur në kohën e Rilindjes Kombëtare. Edhe pse deri më tash nuk ka studime të bollshme se çfarë roli ka pasur ajo në Rilindjen tonë kombëtare, figurat që kanë qenë të përfshira në Rilindje dhe në Muratori na japin të kuptojmë se roli i tyre duhet të ketë qenë bukur i madh.

Studiuesi rumun, Adrian Majuru, në librin e tij “Bukureshti Shqiptar” mbështet tezën se Rilindja Kombëtare shqiptare kishte filluar të fitojë në cilësi, organizim dhe seriozitet dhe kishte shtuar përpjekjet për pavarësi si rezultat i organizimit të patriotëve shqiptarë nëpër Lozha Muratorike.

Sipas Majurus, Lozha e parë shqiptare – e njohur mbante emrin “Vëllazëria e Parë” – ishte themeluar më 1875 në Zagazik (Egjipt), nën udhëheqjen e korçarit Nikolla Naço. Si shumë shqiptarë të tjerë, Naço kishte zgjedhur Egjiptin si vend të përshtatshëm për të ushtruar veprimtarinë e tij patriotike, pasi ky shtet sundohej nga dinastia shqiptare e Mehmet Ali Pashës.

Nga viti 1877, kishte filluar veprimtarinë e saj në Bukuresht një Lozhë tjetër masonike shqiptare – e themeluar edhe kjo nga Naço – me emrin “Drita”, ku bënin pjesë patriotë shqiptarë që së bashku me vëllezërit e tyre muratorë rumunë përpiqeshin për krijimin e kushteve për themelimin e shtetit shqiptar.

Së fundmi janë gjetur dëshmi të pakontestueshme se edhe krijuesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, ka qenë një Murator i Lirë i iniciuar në një nga Lozhat italiane të kohës, të cilat besohet ta kenë ndihmuar atë në procesin e pavarësimit të Shqipërisë.

Ekzistojnë dëshmi të sigurta edhe për përkatësinë e Vaso Pashës dhe Nikollë Ivanajt në vëllazërinë masonike. Ky i fundit themeloi “Trekëndëshin masonik të Durrësit” më 14 prill 1914 me emrin “Shqypnija”. Trekëndëshi masonik i Durrësit, në vitin 1914 numëronte 20 anëtarë, ndër të cilët: Doktor Kotta, Anastasio Thoqi, Rauf Fico dhe Mazar Beu. Edhe Trekëndëshi masonik i Vlorës ishte shumë aktiv. Në gjirin e tij kishte ndër të tjerë edhe: Abdullah Ibrahimin, Pertaf Voshtinën, Qazim Kokoshin dhe Rexhep Efendiun.

Ka indikacione se një pjesë e madhe e rilindësve tjerë, si Faik Konica e Naim Frashëri dhe më vonë edhe disa ministra të Qeverisë së Ismail Qemalit, të kenë qenë Muratorë të Lirë, por për këtë ende nuk janë gjetur prova të sigurta.

PERSONALITETET E RËNDËSISHME TË MURATORISË SË LIRË

Muratoria e Lirë ishte e ndaluar në Shqipërinë komuniste, sikurse edhe në trojet shqiptare në Jugosllavi. Lozhat e para dhe të rregullta muratorike në Shqipëri u themeluan më 2011. Në tetor të vitit 2011 u themelua edhe Lozha e Madhe e Shqipërisë, e cila tanimë njihet si e rregullt nga Lozhat e Mëdha më të rëndësishme të botës, përfshirë edhe atë të Anglisë.

Në Kosovë, Lozha e parë e rregullt muratorike u krijua në qershor të vitit 2014 me ndihmën e Lozhës së Madhe të Shqipërisë dhe mban emrin ‘Dardania’.

Muratoria e Lirë i ka dhënë botës shumë personalitete të rëndësishme, siç janë Volteri, Mozarti, Xhorxh Uashingtoni, Simon Bolivari, Uinston Çurçilli, Gëte, Lezingu etj. Ky i fundit thotë se Muratoria e Lirë nuk është diçka arbitrare, as e panevojshme, por është diçka e domosdoshme, që bazohet në qenien e njeriut dhe të shoqërisë qytetare.

Mbetet të shihet në të ardhmen se si zhvillimi i mëtejmë i Muratorisë së Lirë në trojet shqiptare do të jetë në gjendje të përmbush qëllimin e saj të deklaruar për t’i bërë njerëzit e mirë edhe më të mirë. /Telegrafi/

By | 2018-02-14T21:29:08+00:00 September 17th, 2017|Categories: Internacionale|Tags: |1 Comment
Avada WordPress Theme